Komisioni Evropian publikoi Raportin e tretë vjetor për sundimin e ligjit. Këtë vit theksi u vu në rëndësinë e respektimit të vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, në kuadër të zhvillimeve në kuadër të pushtimit Rus të Ukrainës.
Ashtu si në dy vitet e mëparshme, ndiqen katër fushat kryesore: sistemi gjyqësor, korniza kundër korrupsionit, liria dhe pluralizmi i medias dhe çështje të tjera institucionale që lidhen me kontrollet dhe balancet, dhe risi këtë vit janë rekomandimet e synuara individualisht për secilin shtet anëtar, me synimin për të inkurajuar vendet të vazhdojnë me reformat e planifikuara dhe për të identifikuar problemet që duhet të adresohen.
Reformat në sistemin gjyqësor lidhur me forcimin e pavarësisë së gjyqtarëve, efikasitetin dhe cilësinë e drejtësisë, dixhitalizimin e mëtejshëm të sistemeve gjyqësore dhe lehtësimin e qasjes në drejtësi janë zbatuar nga shumë shtete anëtare, por në disa prej tyre mbeten shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e shërbimeve prokuroriale.
Bashkimi Evropian mbetet një nga rajonet më pak të korruptuara në botë, por korrupsioni mbetet ende një çështje shqetësuese për qytetarët e BE-së pasi 68% e tyre besojnë se korrupsioni është shumë i përhapur në vendin e tyre.
Si risi në raportin e këtij viti është shqyrtimi i transmetuesëve publik dhe roli i tyre domethënës për shoqërinë dhe demokracinë, nga ku lind nevoja e mbrojtjes së pavarësisë, financimit adekuat dhe lirisë nga presioni politik.
Për herë të parë, ky raport shqyrton zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga shtetet anëtare.
Për gjetjet e tjera të Raportit, lexoni më hollësisht në linkun e mëposhtëm: https://ec.europa.eu/info/sites/default/files/1_1_194062_communication_rol_en.pdf
Këto dhe shumë çështje të tjera do të trajtohen në kuadër të presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila filloi më 1 korrik të këtij viti dhe e cila u njoftua se do të fokusohet në pesë fushat prioritare të mëposhtme:
- Menaxhimi i krizës së refugjatëve dhe rimëkëmbja e Ukrainës pas luftës
- Siguria energjetike
- Forcimi i aftësive evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike
- Rezistenca strategjike e ekonomisë evropiane
- Rezistenca e institucioneve demokratike